ZHURNAL.MK ZHURNAL.KS ZHURNAL.AL
LSDM pro një njësie zgjedhore, BDI kundër
Ballkani, sërish “korridor” refugjatësh drejt Perëndimit

 

Opinion
Kështu ky kallëzon kopalla…

Shkruan Enver Robeli

...sepse ky stan këtë bylmet prodhon, kjo grigjë këtë ogiç e vë në krye të punëve. Sepse ndër ne s’bëhet politikë për të na marrë dikush seriozisht, por për të treguar sa joseriozë jemi. Andaj – edhe një herë dhe përgjithmonë: rroftë Republika me të gjitha të mirat e saj – hije të zeza, haraç, hurma, huta dhe integrime evropiane, atlantike, aziatike dhe sovjetike.

I.

Dhe kështu ky flet kopalla nga kolltuku i të parit të kabinetit: nuk e kam ditur që «dhëndri im» ka marrë një post të rëndësishëm në administratën shtetërore, nuk e kam ditur se një funksion i tillë ekziston, nuk kam ditur asgjë. Ky funksion, diçka me ilaçe, po thonë se çdokujt i ofron mundësi të menaxhojë me miliona. Euro, dollarë, lekë e dinarë. Unë nuk di asgjë, nga mediat e kam marrë vesh këtë. Mediat si mediat: po botojnë çdo gjë, gjithçka, në vend se të shkruajnë për sukseset e pandërprera të 10-ditëshit, 20-ditëshit, 30-ditëshit, 40-ditëshit, 50-ditëshit, 100-ditëshit. Nuk e di sa ministra na duhen, por e di sa zëvendësministra na duhen. Na duhen shumë për shkak se kemi shumë punë për të kryer, mbi tokë, nën tokë, gjithandej. Këtë ditë e kemi pritur: të jemi të lirë – për të emëruar zëvendësministra. Për inat të armiqve tanë. Ata janë kudo, në Beograd, në Moskë, në Muçibabë, në Kaçibeg e Muçivërc, në Shumadi e në Uzhicë.

II.

Dhe kështu ky flet kopalla nga kolltuku i të parit të kabinetit: ata janë heronj, nuk janë kriminelë, ata luftuan, na nderuan, na dhanë kurajë, na mësuan çka është patriotizmi... Andaj duhet të shpërblehen. Duhet të marrin para nga buxheti i Kosovës. 10 mijë, 20 mijë, 30 mijë, 40 mijë, 200 mijë, 270 mijë. Euro, dollarë, lekë e dinarë. Kanë nevojë. Sepse ata janë heronj, ata nuk kanë shitur drogë, nuk kanë konsumuar kokainë, nuk janë marrë me reket, ata nuk kanë qenë gjobëvënës, nuk janë marrë me haraç. Por, edhe nëse janë marrë – ne jemi me origjinë ilire, ne jemi krenarë, ne kemi kulturë, andaj haraçi, reketi e këto punë janë veprimtari atdhetare. Le të thonë çfarë të duan «këta të huajt», le të bërtasin, le të piskasin, le të thonë se «vendimet që kam marrë janë bizare», unë nuk tërhiqem, unë nuk bie në gjunjë, unë nuk i nënshtrohem asaj italianes nga Brukseli dhe asnjë diplomati. Duhet të japim para për heronj. Nuk është e vërtetë se këta heronj në fund të ditës mblidhnin haraçin gjithandej nëpër Kosovë. Nuk është e vërtetë se ndonjëri nga këta heronj është marrë me furnizim me drogë të konsumuesve në Spanjë. Ku në dreq i bie Spanja? A na ka njohur?

III.

Dhe kështu ky flet kopalla nga kolltuku i të parit të kabinetit: unë jam për sporte të rënda, apo jo, zotërinj këshilltarë? Unë nuk di të vallëzoj, unë vetëm di të ngre ndonjë dolli patriotike në Kuvend me raki vendore dhe përralla mbretërore. Unë nuk jam beduin, nuk vallëzoj si ti zonja K. S’ka lidhje që unë me ish-shefin e zonjës K. sundoj këtë vend. S’ka lidhje që zëvendësi im po e fton Serbinë të marrë vendime në Kosovë. Kështu ecin gjërat në viset tona. Kështu jemi ne: të paepur për çështjen kombëtare. Kështu e duam Kosovën: një lloj klubi që «prodhon» para si një klub i punëve të tjera në një qytet diku në Gjermaninë veriore, diku në zonat me drita të kuqe në qytetin H.

IV.

Dhe kështu ky flet kopalla nga kolltuku i të parit të kabinetit: ne falim borxhe, falim dhjetëra miliona, dhe po qe e nevojshme edhe miliarda. Ne jemi me Amerikën, por jemi edhe për kufirin në Çakor, apo jo zotërinj këshilltarë? Rroftë Amerika, poshtë Amerika! Kabineti im është më i miri. Kabineti im gjenial me koka të mëdha – gjeniale. Kabineti im më i miri në katund. Kabineti im. Ky është kabineti i parë në historinë e Kosovës që disa ministra janë me Rusinë, disa me Serbinë, disa me Amerikën. Disa i bien hurit, disa patkoit. Disa duan të përfitojnë nga ndonjë tender, disa duan ta shesin Kosovën në tender.

V.

Dhe kështu ky flet kopalla nga kolltuku i të parit të kabinetit: vizat do të hiqen së shpejti, fruthi do të çrrënjoset, borë nuk do të bjerë, shiu nuk do të jetë i lagët, po bëri vaki e tha ndonjë zëvendësministër se Kosova është Republikë, do të veprohet me shpejtësi duke e shkarkuar atë derëzi. Kosova Republikë! Papunësia do të ulet, çmimet do të fundosen, limonët do të rriten, bananet do të mbijnë, fiku do të jetë aq i ëmbël saqë do të na e humb fiqirin, grurin do ta korrim në janar. Kosova Republikë! Vizat tashmë janë hequr. Tash vazhdojmë me dokrra për demarkacionin.

VI.

Dhe kështu ky flet kopalla nga kolltuku i të parit të kabinetit. Sepse ky stan këtë bylmet prodhon, kjo grigjë këtë ogiç e vë në krye të punëve. Sepse ndër ne s’bëhet politikë për të na marrë dikush seriozisht, por për të treguar sa joseriozë jemi. Andaj – edhe një herë dhe përgjithmonë: rroftë Republika me të gjitha të mirat e saj – hije të zeza, haraç, hurma, huta dhe integrime evropiane, atlantike, aziatike dhe sovjetike.

 14.12.2017, 11:26  | Xh.I. | 1,604 i lexuar

 

© ZHURNAL.mk

MARKETINGU    |    IMPRESUM    |    KONTAKT    |    ARKIVA
AGJENCIA E LAJMEVE "ZHURNAL"
Fon: 02 3217 815, E-mail: info @ zhurnal.mk
© 2018 Agjencia e lajmeve "ZHURNAL"
Të gjitha të drejtat e përmbajtjes në këtë portal janë të rezervuara. Ndalohet ribotimi i përmbajtjes (lajmeve dhe të gjitha shkrimeve të tjera) pa lejen me shkrim të portalit "Zhurnal".
Çdo përdorues publik i përmbajtjes sonë pa autorizimin e posaçëm nga "Zhurnal" rrezikon të ballafaqohet me ligjin.
 
<