Vulin: Zaev nuk e mbajti fjalën, Shkupi do të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO
maqedonia
Vulin: Zaev nuk e mbajti fjalën, Shkupi do të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO

Vulin: Zaev nuk e mbajti fjalën, Shkupi do të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO

Shkup, 12 dhjetor - Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandar Vulin, ka akuzuar sot kryeministrin maqedonas Zoran Zaev, se “nuk e ka mbajtur fjalën”, pas deklaratës së shefit të Qeverisë së Maqedonisë, i cili tha se vendi i tij do të mbështesë Kosovën në të gjitha proceset.

Vulin ka reaguar ndaj përgjigjes së kryeministrit maqedonas, i cili i pyetur nëse Shkupi do të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, tha se Prishtina duhet të llogaritë në mbështetjen e Maqedonisë në të gjitha proceset.

Përgjigjja e Zaevit ishte se Kosova mund të llogarisë mbështetjen e Shkupit në të gjitha proceset e saj, duke lënë të kuptohet se kjo do të ndodhë edhe me përpjekjet për anëtarësim në UNESCO.

Në takim, ai theksoi rëndësinë e zhvillimit ekonomik, rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe projekteve konkrete, si autostrada që lidh dy vendet, ndërsa preku dhe një tjetër çështje nevralgjike të momentit.

Kreu i ekzekutivit maqedonas deklaroi përpara gazetarëve se do të ketë një hetim për rastin “Kumanova”.

“Kjo është një çështje shumë e ndjeshme, të cilën nuk e ka provokuar as Zaevi, as Ramush Haradinaj. Kjo është një çështje për të cilën qytetarët meritojnë të dinë të vërtetën. Kemi rënë dakord që të ketë hetim ndërkombëtar, ose të dërgohen përfaqësues ekspertë, të cilet do t’i ballafaqojnë të gjitha elementet dhe provat”, tha Zaev.

Haradinaj është ftuar nga Zaevi që të vizitojë Maqedoninë nga fillimi i vitit të ardhshëm, kur do të mbahet dhe një mbledhje e përbashkët e të dy qeverive.

© ZHURNAL 12.12.2017, 18:19 | D.J. | 4,138 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."