ZHURNAL.MK ZHURNAL.KS ZHURNAL.AL

 

Lajme nga Maqedonia
« Analistët » Proçesi i shtet-ndërtimit të Maqedonisë lidhet me Shqipërinë dhe Kosovën

Zoran Zaev do të jetë sot në Kosovë, në vizitën e tij të parë zyrtare që pas marrjes së postit si Kryeministër i Republikës së Maqedonisë.

Shkup, 12 dhjetor - Zoran Zaev do të jetë sot në Kosovë, në vizitën e tij të parë zyrtare që pas marrjes së postit si Kryeministër i Republikës së Maqedonisë.

Përgjatë kësaj vizite një ditore  ai do të takohet me homologun e tij Ramush Haradinaj, me Presidentin e Republikes së Kosovës Hashim Thaçi dhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli.

Zyrtarët e tjerë që do ta shoqërojnë kryeministrin Zaev përgjatë kësaj vizite do të jenë ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, ministri i Transportit dhe Lidhjeve Goran Sugareski, ministri i Kulturës Robert Alagjozovski, ministri pa portofol për Diasporën Edmond Ademi.

Por ajo që mendojnë intelektualët dhe analistët shqiptarë rreth kësaj vizite është e larmishme.

Milaim Fetai, profesor universitar e ka cilësuar vizitën në fjalë si një vizitë e pritur, e qëlluar në vazhdën e integrimeve euroatlantike. 

“Një vizitë historike, në brendinë e saj ka sinqeritet, ide europiane të marrëdhënieve miqësore dhe  të besueshme mes shteteve dhe popujve sidomos të B0allkanit perëndimor. Kjo vizitë hap një kapitull të ri të përshpejtimit euroatlantik të këtij rajoni historikisht të ngarkuar me konflikte”, thotë për Zhurnal Fetai.

Profesor Fetai shpreson se “kjo vizitë do të jetë një hap më konkret që qeveria aktuale po dëshmon për marrëdhënie të mira miqësore, për të tejkaluar  pengesat cdhe për të përshpejtuar integrimin e Maqedonisë dhe gjithë rajonit fillimisht në NATO, e më pas në familjen Europiane’.

Ndërkohë për Zhurnal është shprehur në lidhje me këtë vizitë edhe analisti politik Selim Ibraimi, i cili analizon se  prej fillimit të marrjes së postit, kryeministri Zaev premtoi se do t’i rishqyrtojë politikat e Gruevskit me shtetet fqinje, në këtë mënyrë shihet se ka ndryshime midis raporteve të Maqedonisë me Bullgarinë, njëkohësisht tentohet të arrihet marrëveshje me Greqinë.
 
“Në mënyrë konkrete Serbia aktualisht nuk perbën problem dhe mbetet  Kosova dhe Shqipëria. Me këto dy të fundit po vërehet një qasje e re e diplomacisë maqedonase, për të përfunduar konsolidimin e shtetit të tyre duke i lënë shqiptarët e Maqedonisë me status të pakicës. Proçesi i shtet-ndërtimit të Maqedonisë lidhet me Shqipërinë dhe Kosovën, dhe nevojës sipas Shkupit që të dyja vendet të mos e pengojnë Maqedoninë në rrugën e shtrirjes territoriale dhe të sovranitetit. Këtë ndikim Shkupi e ka arritur përmes partive shqiptare duke ua ulur kërkesat për shtetformim”, thotë Ibraimi.

Sipas tij vizita në Kosovë do të konfirmojë qëndrimin e politikës së re të Maqedonisë për mospërzierje të Prishtinës në proçeset që do të kalojë Maqedonia. “Këtë lloj garancie e ka marrë nga Shqipëria dhe pritet ta përfitojë të njëjtën mbështetje edhe nga Kosova.Se sa fqinjë të mirë janë Maqedonia dhe Kosova, tregon niveli i bashkëpunimit infrastrukturor, ekonomik dhe energjitik. Gjeopolitika e kodeve do të vazhdojë të karakterizojë edhe qeverinë e Zaevit. Me këtë qasje synohet të ngrihen çështjet e hapura të shqiptarëve të Maqedonisë, edhe pse qeveria përpiqet të mobilizohet në të gjitha nivelet për t’ja arritur qëllimit shekullor”, ka përfunduar Ibraimi.

Në përfundim të takimit me homologun e tij Haradinaj, kryeministri Zaev theksoi se ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë duhet të rritet më shumë bashkëpunimi në të gjitha sferat politike dhe shoqërore, në mënyrë të veçantë në kulturë, arsim e më gjerë.

 

"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."
 12.12.2017, 11:36  | Xh.I. | 4,349 i lexuar

 

 

 

Në Ditën e Shkopit të Bardhë, kryetari Taravari në vizitë te Shoqata e të verbërve “Realiteti”

Gostivar, 15 tetor - Në Ditën ndërkombëtare të personave të verbër, kryetrari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari vizitoi zyrën e Shoqatës së personave të verbër dhe me shikim të dëmtuar “Realiteti” – Gostivar.

“Sot është 15 Tetori, dita botërore e personave të verbër, që njihet si Dita e shkopit të bardhë, andaj e përzgjodhëm pikërisht këtë ditë për të bashkëbiseduar dhe për tu njohur me hallet dhe nevojat anëtarëve të kësaj  shoqate. Më informuan se janë të ftuar në garat në ‘Gold ball' në Sarajevë. Me këtë rast ne si Komunë i mbështesim për udhëtimin dhe qëndrimin atje, si dhe urojmë që të shënojnë sa më shumë fitore. Po ashtu do tua plotësojmë edhe një kërkesë, respektivisht nevojë, do t’ua rinovojmë mjediset e Shoqatës së shpejti, menjëherë  pas përfundimit të tenderit” – theksoi kryetari Taravari.

Kryetari i shoqatës Realiteti , Xhevat Fejzuli, shprehu kënaqësinë për vizitën e dytë të kryetarit Taravari, si dhe shprehu falënderime për përkrahjen e vazhdueshme.
“Shoqata jonë numëron 62 anëtarë. Falënderojmë kryetarin që na mundëson pjesëmarrjen në garat në Sarajevë dhe uroj dhe shpresoj se do të shënojmë rezultate të kënaqshme.”, u shpreh kryetari Fejzuli.

Komuna e Gostivarit për anëtarët e shoqatës Realiteti, siguroi fanella me logon e komunës, të cilat do t’i shfrytëzojnë për pjesëmarrje në garat në Sarajevë.

Vlen të theksohet edhe se prej sot, një zyrë në objektin e NP” Komunalec”,  iu dorëzua në shfrytëzim Shoqatës për personat me nevoja të posaçme “Bashkërisht Mundemi “.

"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."
 15.10.2018, 23:04  | Xh.I. | 2.480 i lexuar

© ZHURNAL.mk

MARKETINGU    |    IMPRESUM    |    KONTAKT    |    ARKIVA
AGJENCIA E LAJMEVE "ZHURNAL"
Fon: 02 3217 815, E-mail: info @ zhurnal.mk
© 2018 Agjencia e lajmeve "ZHURNAL"
Të gjitha të drejtat e përmbajtjes në këtë portal janë të rezervuara. Ndalohet ribotimi i përmbajtjes (lajmeve dhe të gjitha shkrimeve të tjera) pa lejen me shkrim të portalit "Zhurnal".
Çdo përdorues publik i përmbajtjes sonë pa autorizimin e posaçëm nga "Zhurnal" rrezikon të ballafaqohet me ligjin.