Maqedonia në BE e rëndësishme për shqiptarët, por jo më e rëndësishme se statusi i tyre
maqedonia
Maqedonia në BE e rëndësishme për shqiptarët, por jo më e rëndësishme se statusi i tyre

Maqedonia në BE e rëndësishme për shqiptarët, por jo më e rëndësishme se statusi i tyre

Shkup, 23 nëntor - Është e vërtet se në raste të shumta gjatë qeverisjes transparenca të mungon për shkaqe politike, që i konvenon njërës apo ndonjë partie tjetër të koalicionit në momente të caktuara politike, sepse mund të ndikon negativisht te elektorati i atij opsioni politik. Por duke e pasur parasysh faktin se Qeveria e tanishme në gjithë periudhën parazgjedhore ka propaguar qeverisje transparente, atëherë është edhe e natyrshme të pritet një gjë e tillë, thonë njohës të zhvillimeve politike në vend për Zhurnal. 

"Ndoshta është ende herët të jepet një konstatim për jo transparencë, por ka disa gjëra që të bëjnë të dyshosh, sidomos kur bëhet fjalë për disa vendime të Qeverisë pas zgjedhjeve vendore kur pritej të aprovohen disa ligje e ndër to edhe ligji për përdorimin e gjuhëve", thotë për Zhurnal, Abdurauf Pruthi, profesor universitar. 

Sipas tij, një ndër prioritetet të kyçjes të Maqedonisë në BE gjithmonë ka qenë realizimi i plotë i marrëveshjes të Ohrit dhe prej ku Hahn nxjerrë konkludimet se një gjë e tillë nuk është prioritet dhe i jep alibi partisë opozitare maqedonase DPMNE për të kërkuar heqjen e flamurit evropian nga ky ligj. 

"Në qoftë se nuk ka diçka prapa skene (jo transparencë), atëherë partitë shqiptare në pushtet dhe ato opozitare mendoj se duhet të reagojnë shumë ashpër ndaj një deklarate të tillë. Për fat të keq, nuk kemi ende asnjë prononcim të tillë. Mund të kuptoj se për shqiptarët kyçja e Maqedonisë në BE është shumë e rëndësishme, por jo më e rëndësishme se rregullimi i statusit të barabarësisë të tyre në Maqedoni. Shtyrja e përditshme e ligjit për përdorim të gjuhëve për shqyrtim në agjendën e Kuvendit të Maqedonisë, vetëm se po i jep mundësinë të gjitha mediave maqedonase për prononcim negativ ndaj këtij ligji dhe kërkesa për rishqyrtim", nënvizon profesor Pruthi.

Nga ana tjetër, gazetari Naim Sinani thekson se nuk përjashtohet mundësia që në takim me eurokomesarin Han, LSDM të ketë mbajtur qëndrim se miratimi i ligjit për gjuhët kërkon kohë për shkak të debateve të stërzgjatura të opozitës maqedonase, prandaj për të përshpejtuar reformat që kërkon Brukseli, sërish shqiptarët u lanë të presin kohra më të mira. 

"Në atë takim, liderët e partive shqiptare duhej të kishin shkuar me qëndrim më të prerë rreth ligjit për gjuhët, i cili megjithse nuk është ideal të paktën e avancon përdorimin e gjuhës shqipe, prandaj për teket e VMRO-DPMNE-së, apo për mosgadishmërinë e LSDM-së, asesi nuk duhej të binin dakord që  llogarinë ta paguajnë sërish shqiptarët. Kësaj rradhe duhej insistuar që eurokomesari Han, të bënte presion te VMRO-DPMNE dhe LSDM për konstruktivitet ndaj kërkesës së shqiptarëve për avancim të përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe", thekson për Zhurnal, Naim Sinani, gazetar.

Ndërsa, shton mëtej Sinani, mosgadishmëria e shumicës parlamentare për të përmbyllur ligjin për gjuhët, e vë në pikëpzetje edhe transparencën e këtij koalicionmi dhe të vet qeverisë.

© ZHURNAL 23.11.2017, 19:00 | D.J. | 3,364 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."